Investimet në infrastrukturën rurale po vijojnë me përparësi në qarqe të ndryshme të vendit, si një nga prioritet e qeverisë që kontribuon, jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e këtyre zonave, por që ndihmon fermerët edhe për daljen më shpejtë në tregje me prodhimet e tyre.

 

Falë këtyre investimeve sot edhe zona e Bubqit në bashkinë e Krujës ka një pamje krejt tjetër.

 

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, publikoi në rrjetet sociale foto të Bubqit, ku shihen ekipe me mjete dhe makineri që po punojnë duke shtruar me asfalt akse të rrugëve dytësore dhe rurale.

 

“Prioriteti që diktoi tërmeti në buxhetin e shtetit, ishte ndërtimi i shtëpive për familjet e dëmtuara dhe krijimi i një infrastrukture rrugore që i shërben gjithnjë e më shumë komunitetit të zonës”, u shpreh Ekonomi.

 

Sipas saj, po sistemohen dhe asfaltohen 33  km rrugë, duke e bërë zonën e Bubq një potencial të madh agroturistik

 

“Këto investime janë kryer me buxhetin e Bashkisë Krujë, e cila falë mirëmenaxhimit financiar, ka rritur kapacitet investuese, si kurrë më parë”, tha ajo, teksa shtoi se, investimet vijojnë në kuadër të programit 100+ rrugë rurale.