Gati 1.7 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë në 4 muajt e parë të këtij viti.

 

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), numri i shtetasve të huaj që vizituan vendin në periudhën janar-prill, shënoi rritje me 57 %.

 

Në 4-mujorin e parë të vitit, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1 626 852 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 36 265 dhe 9 767 shtetas.

 

Edhe numri i shtetasve shqiptarë që udhëtuan jashtë vendit shënoi rritje.

 

Sipas INSTAT-it, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë katërmujorit të parë 2023, është 1.957.678, duke u rritur me 30.3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.

 

Nga të dhënat e INSTAT-it vihet re se, numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për pushime apo vizitë tek të afërm është rritur me 58.3 %, ndërsa për biznes me 15.7 %./ATSH