GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 13 persona, policë e kryepleq, që janë nën hetim për kultivim bimësh narkotike që prej vitit 2020.

 

Njoftimi i SPAK

 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve të zhvilluara në lidhje me procedimin penal me nr. 203, të vitit 2020 ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila me vendimin e saj nr. 47, datë 23.05.2023 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 13 persona nën hetim, të cilët janë organizatorët dhe kultivuesit e bimëve narkotike, punonjës policie dhe kryepleq, në lidhje me veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284/1 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28/4 i Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e drejtimit dhe formën e pjesëmarrjes parashikuar nga nenet 333/a/1/2 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal, si dhe “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

 

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

 

Nga hetimet e zhvilluara rezulton se personat nën hetim, pjesë e dy grupeve kriminale janë përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të lëndëve narkotike me qëllim hedhjen më pas në treg të saj, duke filluar nga viti 2020 e në vijim. Kultivimi i bimëve narkotike është kryer në Njësinë Administrative Cudhi të Bashkisë Krujë, fshatrat Noj, Shkretë, Rranxë, Bruz Mal, Bruz Zall, në sipërfaqe tokash pyll kryesisht me pronar “shtet” zona kufitare me njëra-tjetrën.

 

Për kujdesin dhe ruajtjen e bimëve narkotike personat e dyshuar kanë punësuar punëtorë dhe kanë ngritur sisteme vaditje, më pas lënda narkotike është grumbulluar dhe përpunuar në vende të posaçme me qëllim hedhjen në treg të saj. Grupet kriminale janë ndihmuar dhe favorizuar nga disa punonjës të strukturave të policisë, si dhe ato të administratës vendore Krujë.

Gjatë hetimit janë identifikuar dhe më pas kontrolluar zonat e kultivuara me bimë narkotike, ku dhe janë gjetur dhe asgjësuar mijëra bimë narkotike të mbjella në parcela të ndryshme dhe sasi të ndryshme. Në lidhje me këtë janë sekuestruar mostra të këtyre bimëve dhe ekspertuar ato. Nga ky ekspertim ka rezultuar se bimët e sekuestruara janë të llojit canabis sattiva.

 

Po kështu, gjatë kontrollit të ushtruar vetëm në njërin në vendet e grumbullimit të lëndës narkotike, është sekuestruar ndër të tjera dhe sasia prej 145.5 kg canabis sattiva, e paketuar në mënyrë të posaçme dhe e gatshme për tregtim.

 

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani 8 masa sigurimi personal për personat nën hetim:

– V.T., L.A., S.V., Xh.Z., S. SH., A. P., Sh. I., dhe A. P.

 

Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për bashkëpunëtorët e personave të arrestuar, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.