Pasi të tresë zhgënjimin e këtij sezoni, ku kryesoi Premier Ligën për 8 muaj dhe në fund ajo i rrëshqiti prej duarsh, Arsenali ka nisur përgatitjen për sezonin e ri. Dhe rindërtimi i skuadrës për sezonin e ardhshëm ku Mikel Arteta do të kërkojë që të bëjë hapin e radhës do të nisë nga merkato.

Sipas portalit “Football London”, te “topçinjtë” do të ketë një eksod të vërtetë këtë sezon, ku do të largohen një numër i konsiderueshëm lojtarësh, ose më shumë se gjysma e skuadrës aktuale.

 

Janë plot 14 futbollistë që duhet të bëjnë gati valixhet dhe do të vendosen në shitje për të financuar më pas të paktën tetë transferime të reja në procesin e rindërtimit të skuadrës.

 

Ata që kryesojnë listën e largimeve, sipas burimeve të medias pranë klubit, janë sulmuesi Nikolas Pepe, blerja më e shtrenjtë e Arsenalit në vitin 2019 (80 milionë euro), aktualisht i huazuar te Nisa.

 

Xhaka është gjithashtu një nga lojtarët e përfolur për t’u larguar, ndërsa në “Emirates” emrat që lakohen për t’u afruar janë ata të Deklan Rajsit, Kaisedos, Mosesit apo Gyndoanit.