Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për 30-vjeçaren Milena Deraj.
30-vjeçarja u arrestua dy ditë më parë nga forcat e policisë, pasi akuzohet se i ka marrë nëpërmjet mashtrimit, 230 mijë euro shoqes së saj dhe 340 mijë euro personave të tjerë.
Mësohet se ajo ka mashtruar shoqen e saj Elira Shyti, me premtimin për investim në bono thesari i ka marrë 225 mijë euro. Paratë ajo i ka dhënë në 2 transaksione bankare në një bankë të nivelit të dytë, 47 mijë euro rasti i parë dhe transaksioni i dytë prej 20 mijë euro. Pjesa tjetër e parave janë dhënë dorazi.
Sipas dëshmisë së Shytit, shumat e parave i ka dhënë në vlerat 10, 20 dhe 30 mijë euro, shuma që sipas saj i merrte borxh nga të afërmit. Shyti, pasi ka parë se lekët nuk po ktheheshin mbrapshtë, ka bindur Milenen për të bërë një deklaratë noteriale që të kishte një dokument për shumën totale të borxhit prej 225 mijë euro. Madje, Shyti ka takuar edhe burrin e Milenës, Genci Deraj, që sipas saj punon në Kryeministri. Ky i fundit e ka garantuar që do t’i kthenin të gjitha lekët, madje edhe fitimin.
Për rastin e Verracakëve në Shkodër, Elira Shyti prezantoi Milena Derajn me një person tjetër të njohur të familjes, Afërdita Ferracaku. Deraj ka bindur Ferracakun se njeh një avokat të mirë për t’i lehtësuar pozitat në gjykatë Hasan, Shyqyri dhe Abedin Verracakut. Sipas 30-vjeçares, avokati u ka thënë se me provat e mbledhura nga prokuroria Shkodër të akuzuarit nuk mund të lirohen nga burgu, por me dhënien e 340 mijë eurove, shpëtonin nga burgimi i përjetshëm, duke kërkuar gjykim të shkurtuar.
Anëtarë të familjes Verracaku kanë rënë dakord për dhënien e shumës, të cilën do ta siguronin për 6 muaj. Pas kësaj kohe janë takuar 3 herë, herën e parë tek lulishtja “1 Maji” i kanë dhënën Milenës 80 mijë euro, të dytën në të njëjtin vend 70 mijë euro, ndërsa herën e tretë janë takuar pranë Bankës së Shqipërisë dhe i ka dhënë pjesën tjetër të mbetur të parave. Paratë janë dorëzuar nga vetë Abedin Verracaku. Pasi kanë parë që kanë rënë pre e mashtrimit, në aplikacionin “Signal” Abedini i ka dërguar mesazhe kërcënuese Milenës që të mos dal nga Shqipëria as ajo dhe as djali i saj pa paguar borxhin.