Italia vendi më i goditur në Europë nga Covid-19, u bë dhe përfituesja më e madhe e fondeve të Bashkimit Europian prej 724 miliardë eurosh për rimëkëmbje pas pandemisë
Por ajo ka mbetur prapa me vënien në jetë të projekteve dhe nuk po i përmbush dot objektivat e vendosura nga Brukseli për marrjen e parave. Komisioni Europian u shpreh i shqetësuar nga zvarritjet e Romës, të cilës i kujtoi se duhet të veprojë shpejt nëse dëshiron të zgjidhë problemet me programin e financimit, që skadon pas tre vjetësh.
Në 2021-shin, ish-kryeministri Italian Mario Draghi mori dritën jeshile të Brukselit 68.9 miliardë euro grante dhe 122.6 miliardë euro kredi të buta, që në total llogaritej tek 191.5 miliardë euro apo gati rreth 50 miliardë më shumë se çdo vend tjetër.
Qeveria e tij prezantoi 138.640 projekte fillestare, të cilat përfshinin gjashtë fusha investimi: digjitalizimi, tranzicioni ekologjik, infrastruktura, arsimi, barazia sociale dhe shëndetësia. Deri tani, Italia ka marrë një paketë para-financimi dhe dy këste pagesash, në vlerë 67 miliardë euro.
Kësti i tretë prej 19 miliardë eurosh do të duhej t’i jepej vendit në fund të vitit 2022, por këto fonde u ngrinë pasi BE-ja tha se donte sqarime në lidhje me përpjekjet e Romës për t’i përmbushur “objektivat dhe pikat kryesore”, të nevojshme për t’i zhbllokuar paratë.
Shefja aktuale e ekzekutivit Italian, Giorgia Meloni, pohoi se për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe inflacionit të lartë, është dashur që plani origjinal të rishikohej. Shqetësimi i zyrtarëve italianë është se edhe plani kishte mangësi që në fillim, pasi sipas tyre është absurde të mendohej që Italia mund të shpenzonte kaq shumë para deri në vitin 2026, kur vendi ka një nga rekordet më të këqija për shpenzimin e fondeve të BE-së në dekadat e fundit.