Kreu i SPAK, Altin Dumani ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend për punën e bërë nga institucioni që ai drejton për vitin 2022.

 

Gjatë fjalës së tij, Dumani ka thënë se janë regjistruar në Prokurorinë e Posaçme 28 procedime penale me 34 persona në hetim, me një rritje nga viti i kaluar.

 

Po ashtu ai është ndalur te përdorimi i mjeteve të posaçme të hetimit, përveç përgjimeve telefonike për të cilat tha se për herë të parë kanë punuar edhe agjentë të infiltruar.

 

Dumani theksoi ndër të tjera se janë dhënë 4 vendime dënimi për ish-zyrtarë të nivelit të lartë.

 

“Janë regjistruar 28 procedime penale me 34 persona në hetim, me një rritje nga viti i kaluar, ku janë regjistruar 18 procedime penale me 9 persona në hetim. Në lidhje me përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit, përveç përgjimeve telefonike, po aplikohen në masë të konsiderueshme, të gjitha mjetet për një çështje apo çështje të ndryshme, si vëzhgime, simulime, dorëzim i kontrolluar, letërporosi, si edhe për herë të parë, agjentë të infiltruar. Në vitin 2022, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 69 procedime penale, ku janë interceptuar 1023 pajisje fundore.

 

Një e dhënë e rëndësishme, është rritur gama e databazave shtetërore ku SPAK ka akses të drejtpërdrejtë. Në lidhje me rekomandimin mbi fokusimin në hetime më shumë në çështjet e korrupsionit të nivelit të zyrtarëve të lartë, nënvizojmë se me kërkesë të SPAK nga Gjykata e Posaçme gjatë vitit 2022, janë dhënë 4 vendimi dënimi, me 4 persona të dënuar, për ish-zyrtarë të nivelit të lartë. Ndërkohë, në periudhën 2022-2022, rezulton se në total, në SPAK janë hetuar 24 procedime penale me 25 persona në hetim, ndaj ish-zyrtarëve të lartë”, theksoi ai.