Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një takim pas zgjedhjeve të 14 majit në Vlorë, falënderoi ata që i cilësoi “zemra e fitores sonë në Vlorë”.

 

“Falenderoj të gjithë ata që janë angazhuar në PS e Vlorës dhe që në të gjithë territorin e Vlorës kanë bërë punën e tyre. Falenderoj aktivistët, patronazhistët dhe të gjithë ata që janë në këtë parti që nga dita e parë e krijimit dhe vijojnë të kontribuojnë edhe sot”, u shpreh Rama.

 

Kryeministri shprehu një falenderim të veçantë për gratë dhe vajzat e Vlorës të cilat i cilësoi si garaci dhe vlerë e PS-së dhe që kanë shtuar radhët e PS-së në të gjitha nivelet e PS-së duke krijuar barazpeshë mes burrave dhe grave.

 

Rama tha se, Vlora kur ka dhe diell është vendi më i bukur në botë teksa vuri në dukje se se vota e 14 majit ka një domethënie të madhe.

 

“Ne jemi në mes të mandatit të tretë dhe kemi marrë rezultatin më të lartë historik të PS-së. Në 14 maj për kandidatët tanë kanë votuar më shumë zgjedhës se asnjëherë më parë për PS-në. Gjithashtu në këto zgjedhje kemi arritur si PS të dalim forcë e parë në këshilla bashkiakë, ku nuk nuk kemi qenë më parë forcë e parë si në Shkodër, Tropojë e Dibër dhe të rikthehemi si forcë e parë”, u shpreh ai.

 

Ai tha se, në këto zgjedhje ka ndodhur një gjë e re. “Më parë vota për dy partitë e mëdha ndahej në shumë parti të vogla dhe kur vinte puna për këshillat PS kishte një numër shumë më të ulët se në zgjedhjet politike. Këtë herë PS ka marrë votën e vet të konsoliduar dhe të bashkuar. Kjo është e rëndësishme për të kuptuar se PS ka hyrë në një fazë të re, që duhet ta kuptojmë si një nevojë për t’u hapur me prurje të reja të të gjitha moshave pa asnjë paragjykim”, vuri në dukje Rama.