Moska ka akuzuar Kievin zyrtar se po përgatitet të hedhë në erë ndërtesa në qytetin lindor të Ukrainës, Kramatorsk dhe më pas të akuzojë Rusinë për kryerjen e krimeve të luftës dhe shenjëstrimin e civilëve në një operacion të rremë, shkruajnë mediat e huaja.

Ministria e mbrojtjes ruse ka shkruar në Telegram se Kievi planifikoi të shpërthejë tre ndërtesa mjekësore, ambulante dhe një spital dhe të akuzojë Rusinë për një “sulm të qëllimshëm” të supozuar ndaj objekteve civile.

“Sipas informacioneve të konfirmuara nga disa burime të pavarura, shërbimet speciale ukrainase synojnë të kryejnë një provokim në shkallë të gjerë në të ardhmen e afërt për të akuzuar Rusinë për gjoja kryerjen e krimeve të luftës. Për këtë qëllim, regjimi i Kievit ka planifikuar në qytetin e Kramatorsk një bombardim të kontrolluar të ndërtesave, në mënyrë që të akuzojë Rusinë për goditje të qëllimshme në objekte civile.”,-  shkruhet në Telegram.

Më tej thuhet se kundër sfondit të dështimeve ushtarake të ushtrisë ukrainase, autoritetet e Kievit po përpiqen të rrisin presionin mbi opinionin publik në vendet perëndimore me provokime të tilla, në mënyrë që të zgjerojnë gamën e furnizimeve të armëve moderne dhe pajisjeve ushtarake.

Megjithatë, ministria e mbrojtjes nuk dha asnjë provë për pretendimet dhe akuzat ndaj Ukrainës.