Qeveria ka marrë sot vendim për të shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike, duke e kaluar institutet e saj si institucione autonome brenda Akademisë së Shkencave.
Vendimin e bëri të njohur për mediat ministrja e Arsimit, Evis Kushi e cila u shpreh se nga raporti i kontrollit që u bë brenda Akademisë së Studimeve Albanologjike u vërejtën shkelje të shumta.
“Akademia e studimeve albanologjike nuk ka pasur asnjëherë një fakultet që është detyrimi i parë ligjor. Në asnjë njësi të saj nuk ka mësimdhënie që e bën të pamundur të vazhdojë të funksionojë si institucion i arsimit të lartë. ASA është e pa akredituar si nga ana institucionale ashtu edhe nga ana e programeve të studimit. Edhe kur qeveria mori një kompani angleze për ti akredituar të gjitha, ASA ishte e vetmja që nuk u akreditua. Mos akreditimi e bën të pamundur të lëshojë diploma. Sipas ligjit një institucion i arsimit të lartë mund të lëshojë diploma vetëm nëse është i akredituar. Ka 8 vite që ASA nuk regjistron asnjë student në asnjë program studimi. Kjo i bën sipas ligjit, pasive të gjitha programet”, tha Kushi.
Sipas saj “Ka një sërë argumentesh sa i takon strukturës që e bën të pamundur ekzistencën e ASA si një institucion të arsimit të lartë. Qendra e enciklopedisë është në shkelje të ligjit sa i takon strukturës. Te pjesa financiare ka gjithashtu një sërë problematikash. Ata nuk justifikojnë as pagën që i ka akorduar ministria e arsimit. Nuk kanë aplikuar për regjistra, gjithashtu nuk kanë audit të brendshëm. Për këtë arsye ne sot me vendim të qeverisë po e riorganizojmë këtë Akademi duke i vendosur institutet e saj si institucione autonome pranë Akademisë së Shkencave”.
Kushi iu përgjigj edhe kritikëve që kanë kundërshtuar shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike.
“Disa nga ata që sot bërtasin për paligjshmëri janë përgjegjës që e kanë lejuar Akademinë të jetë në paligjshmëri për kaq vite. Janë një pakicë ata që bëjnë deklarata të tilla, ndërkohë që kam një listë të gjatë të studiuesve të nderuar që e mbështesin këtë vendim”, tha Kushi.