Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të takohet me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të mërkurën në Bratisllavë të Sllovakisë. Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga zyra e kryeministrit.

 

“Po, kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë. Ndër tjerash, atje do të takojë përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, dhe emisarin e BE-së, Lajçak, si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit. Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Prparim Kryeziu.

 

Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim. Të dy liderët ishin të ftuar në forumin e sigurisë që po mbahet në Bratisllavë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.

 

Vuçiç, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”./ REL