Një operacion anti-drogë është zhvilluar në Krujë, Lezhë dhe Shkodër ku janë asgjësuar 6262 fidanë dhe bimë narkotike kanabis.

 

Në Krujë, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 9-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u gjetën 875 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, konkretisht: 580 fidanë në fshatin Shkretë dhe 295 fidanë në malin e Brretit.

 

Në qarkun Lezhë, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 8-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u gjetën 4557 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, konkretisht: 1700 bimë në fshatin Gernac, Milot; 1335 bimë në fshatin Selitë, Milot; 1000 bimë në fshatin Kallmet, Lezhë; 289 bimë në fshatin Lester, Milot dhe 233 bimë në malin e Shëngjinit.

 

Në qarkun Shkodër, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 4-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, në fshatin Sumë, njësia administrative Pult, u gjetën 830 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

 

Fidanët dhe bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

 

Megaoperacionet policore antikanabis vijojnë. Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse pranë gjykatave në Durrës, Lezhë dhe Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.