Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci u takua sot me kryetarin e komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari me të cilin diskutoi për projekte të përbashkëta e mbi të gjitha për urën mbi Bunë.
Lajmin e bëri të ditur vetë Beci në rrjetet sociale, ku u shpreh se teksa ura e re mbi Bunë, që do të lidhë vendet tona ka marrë rrugën e saj të zbatimit, pati kënaqësinë të bisedonte për të tjera projekte të përbashkëta.
“Mundësitë e lundrimit në lumin Buna dhe ndërtimi i shtegut të biçikletave përgjatë lumit në të dyja anët e kufirit janë synimet tona të përbashkëta”, u shpreh Beci.
Para pak javësh, Parlamenti miratoi marrëveshjen mes qeverisë Shqiptare dhe asaj të Malit të zi për t’i dhënë jetë ndërtimit të urës mbi Bunë.
Ura do të jetë e kategorisë C1 dhe do të ketë mundësi të përdoret për makinat, për kamionët, për kalimtarët, biçikletat dhe do të ketë dy korsi, gjithashtu edhe pjesën e vendpushimeve dhe të trotuareve.
Ura që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi e që do ndërtohet mbi lumin Buna, do të ketë një gjatësi prej 303 metrash. Ajo do të ketë 3 harqe dhe pritet të shkurtojë distancën mes dy vendeve nga 37 kilometra që është aktualisht në vetëm 1 km.
Ulqini dhe Velipoja kanë një largësi vetëm 1 km mes tyre, por nga pikëpamja e ndërlidhshmërisë aktuale kanë 73 km. Me projektin e urës së re distanca mes Shqipërisë dhe Malit të Zi do të shndërrohet në 1 km rrugë.