Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se nuk e mendon zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në komunat veriore të vendit, pa u larguar “bandat kriminale të nacionalizmit e shovinizmit të djathtë ekstrem, të cilët e adhurojnë Millosheviqin e Putinin”.

 

Kërkesën që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të zëvendësohen me trupat e KFOR-it, e kanë paraqitur përfaqësuesit e Listës Serbe, si kusht për të tërhequr protestuesit serbë nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar 4 ditët e fundit.

 

“Ata, ose le të shkojnë në Serbi, ose duhet t’i çojmë në burg. Mirëpo, nuk ka mundësi që ne të mos i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e Republikës nga bandat e tilla. Kur ato të largohen ose mbyllen ne do të mund ta zvogëlojmë prezencën”, i tha kryeministri gazetarëve të REL.

 

Ai ka mbështetur edhe njëherë qëndrimin e tij se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës duhet të punojnë nga zyrat e tyre.

 

“Unë besoj që vendi i punës së kryetarit të komunës duhet të jetë në ndërtesën publike të komunës, sepse ndërtesa publike e komunës është ndërtesë e Republikës”, tha Kurti.

 

Tensionet në veri të Kosovës u rritën që nga data 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

 

Nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan mbetën 30 ushtarë të plagosur.