Prokuroria e Shkodrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për Shkëlzen Gjonajn, me detyrë specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër, pasi u filmua duke vjedhur para në një makinë si dhe duke rrahur një të ri në një lokal. Urdhërndalimi ndaj 50-vjeçari është nxjerrë për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B. 

 

'Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër, në saj të një pune të përbashkët hetimore në funksion të procedimit penal regjistruar më datë 31.05.2023, ka finalizuar me sukses dokumentimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të punonjësit të policisë Nënkomisar SH. GJ., 55 vjeç, , me detyrë Specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Ndaj këtij punonjësi, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër ka nxjerrë urdhër ndalimi për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B. 

 

Ky rast është publikuar në media më datë 01.06.2023  AMP fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.'- njofton AMP.

 

Një ditë më parë në një emision televiziv, u publikuan pamjet ku shihej komandanti i Rendit në Policinë e Shkodrës, Shkëlzen Gjonaj, i cili futet në një makinë private pa mandat dhe i kontrollon portofolin. Sipas informacioneve, polici dyshohet se ka marrë nga portofoli një zarf të vogël me 350 mijë lekë dhe 50 euro, të cilat pasi u pikas nga kamerat ia ka kthyer pronarit disa orë më pas.