Parlamenti zviceran më 1 qershor hodhi poshtë një projektligj që kërkonte mundësimin e transferimit të armëve nga Zvicra në Ukrainë.

 

Shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar Zviceran votuan kundër këtij propozimi që ishte hartuar nga komiteti i politikës së sigurisë të dhomës më të madhe parlamentare të vendit, shkruan REL.

 

Asambleja Federale e Zvicrës përbëhet nga Këshilli Kombëtar dhe Këshilli më i vogël i Shteteve.

 

Projektligji që mbante emrin “Lex Ukraine” do të kishte lejuar shtetet e tjera të dërgonin materiale luftarake të prodhuara nga Zvicra në Ukrainë.

 

Ligjet e Zvicrës neutrale ndalojnë mbështetjen për vendet e përfshira në akte lufte.

 

Prandaj, Zvicra deri më tani ka refuzuar t’i japë Gjermanisë lejen për të kaluar municionet zvicerane – të blera vite më parë për tankun gjerman Leopard – në Ukrainë.

 

Sipas ligjeve të saj të neutralitetit dhe një embargoje të veçantë për armët, Zvicra e ka të ndaluar të dërgojë armë direkt në Ukrainë.

 

Ministrja zvicerane e Mbrojtjes, Viola Amherd, përmes një letre më 1 mars tha se një shitje e mundshme e një pjese të flotës së tankeve zvicerane do të kërkonte që Parlamenti zviceran të deklaronte zyrtarisht se tanket janë jashtë shërbimit.