Një grua e quajtur dikur “vrasësja më e keqe në Australi” është falur pasi sipas provave të reja ajo nuk vrau katër fëmijët e saj të mitur. Kathleen Folbigg kaloi 20 vjet në burg pasi një juri zbuloi se ajo vrau Caleb, Patrick, Sarah dhe Laura.

 

Por sipas një hetimi të fundit, fëmijët kanë vdekur për shkaqe natyrale. Rasti i 55-vjeçares është përshkruar si një nga gabimet më të mëdha të drejtësisë në Australi.

 

Folbigg ka qenë e pafajshme por në vitin 2003 u dënua me 25 vite për vrasjen e 4  fëmijëve të saj. Çdo fëmijë vdiq papritur midis 1989 dhe 1999, duke nxitur prokurorët të mendonin se ajo i kishte vrarë ata.

 

Në hetimin e ri, të kryesuar nga gjyqtari në pension Tom Bathurst, prokurorët pranuan se fëmijët në fakt kishte vdekur për shkaqe natyrale. Si rezultat, guvernatori i NSW urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Folbigg nga burgu.

 

Falja vjen pas një fushate shumëvjeçare për lirimin e Folbigg, e shkaktuar kur një ekip imunologësh zbuluan se vajzat e saj kishin një mutacion gjenetik që mund të shkaktojë vdekje të papritur kardiake.

 

U zbuluan gjithashtu prova se djemtë e Folbigg kishin një mutacion gjenetik të ndryshëm, i lidhur me epilepsinë.