Shërbimet e Policisë Kufitare nga Saranda në Shëngjin kanë bllokuar 8 mjete lundruese, pasi u konstatuan duke lundruar në cenim të ligjit dhe rregullave të lundrimit, si dhe kryenin manovra të rrezikshme, jashtë perimetrit të përcaktuar për këto mjete.

 

Sipas Policisë, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, Durrës, u bllokua një mjet argëtimi “Jet Ski”, që lundronte jashtë zonës së përcaktuar dhe ishte rrezik potencial për sigurinë e pushuesve. Drejtuesi i tij u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë të rinj.

 

“Në afërsi të portit të Durrësit, u bllokuan 2 mjete të tjera lundruese argëtimi “Jet Ski” që drejtoheshin pa dokumentacion e nevojshëm në bord, Secili prej drejtuesve të tyre u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj, në zonën e quajtur “Currilat”, Durrës, u bllokuan 2 mjete lundruese gomone që drejtoheshin pa dokumentacion e nevojshëm në bord. Secili prej drejtuesve të tyre u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj”, thekson Policia.

 

Po ashtu, në Dhërmi u bllokua 1 mjet lundrues argëtimi “Jet ski”, drejtuesi i të cilit kreu manovra të rrezikshme në det dhe për pasojë ishte rrezik potencial për sigurinë e pushuesve. Gjithashtu në Dhërmi u bllokua 1 mjet lundrues Skaf, pasi drejtuesi i tij e ushtronte veprimtarinë e lundrimit, i palicencuar. Për këtë shkelje, ky shtetas u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë të rinj.

 

Në Sarandë u bllokua 1 tjetër mjet lundrues argëtimi “Jet Ski”, që drejtohej pa dokumentacionin e nevojshëm në bord. Drejtuesi i tij u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj.

 

Policia Kufitare apelon për pronarët dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të zbatojnë me korrektesë, kërkesat ligjore për daljen në det, për pajisjen me dokumentacionin përkatës, si dhe për të gjithë ata shtetas që përdorin mjete lundruese argëtimi, apelon që të tregojnë kujdes dhe të mos cenojnë zonat e sigurisë së pushuesve në plazhe.

 

Policia Kufitare është e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë në plazhe dhe në këtë kuadër, do të intensifikojë kontrollet dhe monitorimin nga toka dhe në det, të të gjithë vijës bregdetare.