Gjykata e Apelit të Tiranës është tërhequr për vendim të ndërmjetëm, ndërsa pritet të  shprehet për kërkesën paraprake të bërë nga Ivi Kaso për moslegjitimimin e grupit Alibeaj.

 

Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi ligjor i Berishës, Kaso ka kërkuar që të Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet.

 

“Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit”, tha ai.

 

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Alibeajt tha se nuk është momenti procedural që të ngrihen të tilla pretendime, ndërsa shtoi se gjykata duhet të shqyrtojë të gjitha elementet. Mes të tjerash ai argumentoi se ‘Rithemelimi s’lëshon dot autorizim’.

 

“Ky nuk është momenti procedural ku ngrihet ky lloj pretendimi. Ne mendojmë se kjo gjykatë duhet t’i shqyrtojë gjithë elementet. Ne kemi bërë edhe shtesat e ankimit tonë. Komisioni i Rithemelimit nuk ka personalitet juridik dhe nuk mund të lëshojë autorizim, që në momentin e parë që i është drejtuar gjykatës. Edhe Shkalla e Parë ka gabuar kur është legjitimuar Ivi Kaso për të paraqitur padinë. Ka një konfondim, a ka legjitimitet Komisioni i Rithemelimit?”, pyeti Sefa trupën gjykuese.