Tre të rinjtë, E.H 30 vjeç, Xh.B 27 vjeç dhe K.H 19 vjeç kanë rënë në pranga pasi shpërndanin kokainë dhe kanabis nëpër ambientet festive të Dhërmiut.

 

Nga ky operacion janë sekuestruar rreth 800 doza kokaine dhe 750 doza kanabisi, gati për shitje, 1 peshore elektronike për peshimin e dozave, një shumë parash e përfituar nga shitja e tyre dhe 3 celularë.

 

 

Fenomeni i shitjes së drogës në Dhërmi në clubet e natës ka qenë i shpeshtë. Vetëm pak ditë më parë, dy anglezë Stephen Richards dhe Richards Deacon kanë rënë në pranga ndërsa bashkëpunëtori i tyre po prapë anglez është shpallur në kërkim pasi shisnin kokainë dhe ekstazi në Dhërmi e Himarë.

 

Anglezët e shpërndanin drogën në lokale nate dhe aktivitete të tjera në bregdet, çka bëri që policia e Vlorës t’i kontrollonte. Gjatë kontrollit, anglezëve iu gjetën 50 doza të lëndëve narkotike kokainë, kanabis dhe ekstazi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 aparate celulare dhe 2 peshore elektronike. Dy anglezët kishin përftuar dhe shifra të majme. Atyre iu sekuestruan  3 260 000 lekë, 12 110 euro dhe 2 060 paund.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.  

 

Strukturat e Policisë të qarkut Vlorë janë të vendosura për të parandaluar, evidentuar dhe goditur çdo paligjshmëri, si dhe për të garantuar rendin, sigurinë dhe një ambient sa më të qetë gjatë sezonit turistik veror.