Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se fitorja e pritshme e VMRO-DPMNE në zgjedhjet e afërta do t’i japë një dimension të ri zhvillimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut në të ardhmen, nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj.

Sipas Metës, vizioni dhe politikat e saj në qeverisje e shndërruan Maqedoninë e Veriut, vendin e 10-të në botë dhe të 5-të në Europë për klimën e biznesit dhe investimet e huaja.

“Falë vizionit të VMRO-DPMNE, Maqedonia e Veriut shpërtheu për rritjen e bujqësisë dhe blegtorisë duke e nisur me 10 milionë euro financim në vit e duke e çuar në 200 milionë euro. Ekipi i ri i VMRO-DPMNE besoj se ka mësuar mjaftueshëm nga gabimet e bëra në të kaluarën dhe pasojat e nepotizmit, të cilat eklipsuan arritjet e jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale”, u shpreh Meta.

Ai shprehu besimin se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ecë e sigurt në rrugën euroatlantike dhe përsëri shqiptarët do të jenë garancia kyçe për këtë./ata