Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu foli sot për ngjarjen e djeshme në Spitalin Onkologjik ndërsa tha “kemi nisur një hetim administrativ krahas hetimit që ka filluar Prokuroria, të cilën do të më duhet ta inkurajoj që t’i shkojë deri në fund të gjithë procesit të hetimit dhe të ndëshkojë në mënyrë shembullore të gjithë ata që kanë kryer procedura, të cilët cenojnë figurën e mjekut dhe të infermierit, procedura të cilat i ndëshkojnë penalisht”.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë ku është miratuar rritja e pagave për mjekët dhe infermierët, Koçiu tha se “korrupsioni është vija e kuqe ndarëse mes interesit të çdo qytetari dhe kujtdo që i shkon mendja për të kryer veprime të tilla të turpshme, të cilat nuk i përkasin figurës së mjekut dhe infermierit”.

“Procedimi dhe hetimi administrativ që ne kemi nisur bashkë me strukturat e brendshme të auditit dhe antikorrupsionit do të jetë një hetim, i cili pa diskutim do të trajtojë shumë aspekte, çështjet e organizimit dhe të punës në këtë shërbim. Është e papranueshme, e patolerueshme që mjeku, figura më e lartë që duhet t’i shërbejë njerëzve me përkushtim çdo ditë të mund të trajtojë jetën njerëzore si një mall në tregun e shumicës dhe pikërisht për këtë fakt ne gjithashtu do të duam që të sjellim në një dimension tjetër ushtrimin e figurës së mjekut dhe infermierit dhe të profesionit të tyre”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “pikërisht për këtë po punojmë dhe do të inciojmë shumë shpejt ndryshimet e nevojshme ligjore të cilat do t’ia propozojmë Kuvendit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për të bërë amendime në ligjin për urdhrin e mjekut për të vendosur aty sanksione të forta për të ndëshkuar çdokënd që e trajton jetën njerëzore si mall shumice në tregun e lirë”.

“Do të ndëshkojmë këdo që krahas veprimeve te tjera moralisht nuk kryen detyrën në mënyrë profesionale, me integritet edhe me moral, që duhet të jenë thelbi i punës së çdo profesionisti sidomos në sektorin e shëndetësisë”, tha Koçiu.

Po ashtu Koçiu theksoi se “hetimi administratie që kemi nisur do të bëjë të mundur edhe një ridimensionim të të gjithë shërbimit të Onkologjikut”./ata