Ish-kryeminsitri, Sali Berisha, ka komentuar këtë të mërkurë edhe tensionet e djeshme në mbledhjen e kryesisë së PD dhe dhunën verbale ndaj deputetëvë demokratë.

 

Berisha theksoi se këto janë akte të një politike dhune të turpshme, që sipas tij kanë në origjinë skenarë të Edi Ramës.

 

“Dënoj me forcën më të madhe gangsterët që kanë kërcënuar gazetarët, të cilët kanë ndjekur gjithë natën një takim ku ka patur deputetë dhe jo deputetë dhe në vend që të falënderohen për sakrificën e tyre, gazetarët janë përballur me sharje, me kërcënime rrugeçerish, për fajin e vetëm se po bënin me sakrifice detyrën e tyre.

 

Nuk jam unë atyre që tu sugjeroj atyre se cilin lajm duhet të ndjekin dhe cilin jo. Por ata në asnjë rrethanë as nuk mund të fyheshin dhe as të kërcënoheshin.

 

Ata që mendojnë se do mbyllin probleme duke fyer, duke kërcënuar gazetarë janë gangsterë, janë rrugeçër, nuk kanë gjë të përbashkët me individë të civilizuar.

 

Po kështu dënoj fyerjet dhe kërcënimet që i janë bërë deputetëve. Akte këto të një politike dhune, të turpshme që ka në origjinë skenarë të Edi Ramës”. tha Berisha.