‘National Geographic’ i seksionit të Spanjës ka shkruajtur mbi bukuritë natyrore të Shqipërisë, duke thënë se këtë verë premton të ketë numër të lartë të turistëve.

 

Media spanjolle e konsideron Shqipërinë si “Parajsa e panjohur e Mesdheut”, duke renditur si atraksione turistike disa nga plazhet e bukura të jugut: Ksamili, Borshi, Gjipeja, Dhërmiu, Jala, Lukova, Kakomeja, Porto Palermo e Qeparoi, të cilat sipas ‘National Geographic’ do të triumfojnë këtë verë.

 

Artikullin ‘National Geographic’ e ka shpërndarë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se një vit më parë Shqipëria u vizitua nga 45 mijë turistë spanjollë.

 

“National Geographic” zbulon Shqipërinë përmes rivierës së saj për publikun spanjoll, në vijën e së cilës shpalosen plazhe spektakolare, fshihen gjire sekrete, ndodhen gjurmë arkeologjike dhe shijohet kuzhina e papërsëritshme, të gjitha në këtë artikull që është një ftesë e parefuzueshme për të kaluar disa ditë në parajsën e panjohur të Mesdheut, siç na quan gjiganti i medias botërore. Vitin e kaluar, mbi 45 mijë turistët spanjollë që vizituan Shqipërinë ishin “surpriza” e tregjeve të reja turistike që po eksplorojnë vendin tonë, ndërsa për muajt janar-prill 2023, na kanë vizituar 92% më shumë vizitorë nga Spanja, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, ka shkruar Rama në Facebook.