Është dënuar me 28 vite Agron Tanushi për veprën penale të “Vrasje me paramendim”, pasi tre vite më parë qëlloi tre herë për vdekje ish-kunatën e tij.

 

Konflikti i tre viteve më parë ndodhi për qëllime pronësie, ku e vdekur mbeti Jetmira Hasani, 33 vjeçe.

 

Gjykata e Apelit ka njoftuar sot se ka rënduar dënimin për Agron Tanushin me 5 vite, duke e çuar në total 28 vite burg.

 

Në përfundim të gjykimit, më datë 26.07.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar znj. Vojsava Osmanaj dhe anëtare znj. Valdete Hoxha dhe znj. Lutfije Celami, vendosi:

 

– Lënien në fuqi të vendimit Nr. 3011, datë 15.12.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me këtë ndryshim:

 

– Deklarimin fajtor të të pandehurit A.T për veprën penaletë “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 të K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 25 vjet burgim.

 

– Në bazë të nenit 55 të K. Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm prej 28 vjet burgim.

 

Kujtojmë se Agron Tanushi qëlloi ndaj ish bashkëshortes së vëllait të tij, Jetmira Hasanit, 33 vjeçe, 3 herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Në atë kohë, viktima, sapo ishte divorcuar nga bashkëshorti emigrant. 33- vjeçarja vijoji të qëndronte në katin e dytë të së njëjtës banesë, bashkë me vajzën tashmë 8 vjeçare, ndërsa familja e autorit jetonte në kat të parë.

 

Por përgjatë këtyre viteve ish kunati i kishte kërkuar viktimës që të largohej nga banesa, megjithatë, 33-vjeçarja vijoji të qëndronte me pretendimin se kishte edhe ajo pjesë në atë shtëpi. Ky konflikt vijoji përgjatë këtyre katër viteve, dhe për këtë arsye, viktima kishte kërkuar edhe një urdhër mbrojtjeje nga kunati i saj, urdhër i cili u miratua në 15 korrik të këtij viti. Jetmira me te bijën vendosi të largohej, duke nxjerrë edhe mobiliet, por pa mundur të dilte e gjalle nga porta e shtëpisë.