Ekonomia shqiptare është e fokusuar kryesisht në aktivitetin tregtar dhe shërbime të tjera.
INSTAT publikoi së fundmi raportin mbi regjistrat e biznesit për vitin 2022, sipas të cilit ndërmarrjet me aktivitet tregtar numërojnë 26.5% ndaj totalit të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2022.
Referuar të dhënave, aktiviteti tregtar realizon edhe xhiron vjetore më të madhe në ekonomi, me 35.8%.
Rreth 85.6% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar dhe kontributi i tyre llogaritet në 22% në punësim dhe 25.2% në realizimin e xhiros vjetore.
Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë 1.6% të totalit të ndërmarrje, punësojnë 50.6% të të punësuarve gjithsej, dhe realizojnë 41.3% të totalit vjetor të xhiros.
Të dhënat tregojnë se në qarqet Tiranë, Durrës e Vlorë janë përqendruar rreth 64.8% e ndërmarrjeve.
Numri më i madh i ndërmarrjeve shënohet në qarkun e Tiranës me 58.828 ndërmarrje, ndërsa numri më i vogël në qarkun e Kukësit me 1.342 ndërmarrje. Mbizotërimi i grupit të prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet.
Po ashtu, në qarqet Tiranë dhe Durrës janë përqendruar 57.8% e grupit të prodhuesve të shërbimeve./ATSH