Revista franceze “Voyageurs” ka publikuar një artikull kushtuar kryeqytetit shqiptar, Tiranës.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar nga kjo revistë, e cila e cilëson Tiranën, një përzierje unike mes kulturave dhe historisë.
Sipas “Voyageurs”, Tirana është kthyer në destinacionin e shumëkërkuar për turistët europianë.
“Është media franceze “VoyageursMaG” që i kushton këtë artikull kryeqytetit, nga historia e krijimit deri tek arkitektura moderne dhe aktivitetet që e bëjnë “një qytet befasues dhe magjepsës për t’u eksploruar, ku moderniteti dhe ndikimet nga periudhat e ndryshme historike krijojnë një tablo unike”, shkruan Kumbaro.
Ministrja Kumbaro bën të ditur se “rreth 30 mijë vizitorë francezë kanë frekuentuar Shqipërinë gjatë këtyre katër muajve të parë të vitit 2024, ose dy herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”.
Revista franceze me anë të shkrimit të saj fton udhëtarët të zbulojnë tablonë unike të Tiranës dhe të joshen nga sharmi i saj autentik e modern.
“Ndër turet me guida që duhen bërë në Tiranë, për të mësuar sekretet e së shkuarës së saj mund të përmendim: Xhaminë e Et’hem Beut, me arkitekturë osmane, Muzeu Historik Kombëtar dhe Kulla e Sahatit, të treja përshkojnë sheshin “Skënderbej”. Pak hapa më tutje ndodhet Bunk’Art 2, i cili është një ish-bunker 1000 m2, ku shpalosen tmerret e kryera nga regjimi komunist. Për një atmosferë më të gëzueshme pranë këtyre pikave, ndonjëherë tragjikisht të famshme, zbuloni pazaret e vjetra, me rrugë këmbësore dhe tezga që shesin erëza, sende artizanale dhe veshje”, shkruan revista franceze “Voyageurs”./ata