Rritet numri i grave miliardere anembanë globit. Sipas renditjes më të fundit të Forbes të njerëzve më të pasur të planetit, nga 327 gra miliardere sa ishin në vitin 2022, tani ky numër është rritur në 337.
Nëse përllogaritim në përqindje, tani gratë komandojnë një pjesë pak më të madhe të popullsisë miliarderësh se një vit më parë (13 për qind, krahasuar me 12 për qind në vitin 2022).
Sipas listës, janë vetëm 14 gra në mesin e 100 njerëzve më të pasur në planet në vitin 2023 dhe vetëm njëra prej tyre nuk e kishte bërë pasurinë e saj me trashëgimi (ose divorc) nga një i afërm ose bashkëshort i pasur.
Në vazhdim TRT Balkan ju sjell pesë personalitetet-gra më të pasura sipas renditjes së fundit.
1.Françoise Bettencourt Meyers dhe familja
Gruaja më e pasur në planet për të tretin vit radhazi është trashëgimtarja e L'Oréal, Françoise Bettencourt Meyers, e cila ka një pasuri prej 80,5 miliardë dollarësh, një fitim prej afro 5 miliardë dollarësh nga viti 2022.
2. Julia Koch dhe familja
Bashkëshortja e të ndjerit David Koch si gruaja e dytë më e pasur në botë peshon 59 miliardë dollarë dhe zotëron 42 për qind të konglomeratit Koch Industries së bashku me tre fëmijët e saj të rritur. Koch mbikëqyr fondacionin David H. Koch, nëpërmjet të cilit ajo dhe bashkëshorti i saj i ndjerë kanë dhuruar rreth 1,8 miliardë dollarë për kauza si varfëria, çështjet e varësisë, drejtësia penale dhe arsimi. Në janar, ajo u emërua si kujdestare e Muzeut Metropolitan të Artit.
3. Alice Walton
Alice Walton si gruaja e tretë më e pasur në botë me pasuri prej 56,7 miliardë dollarë trashëgoi një aksion në Walmart nga babai i saj, bashkëthemeluesi Sam Walton (v. 1992). Ajo është e njohur në shtetin e familjes së Arkansas për hapjen e Muzeut Crystal Bridges të Artit Amerikan, në qytetin e tyre të lindjes në Bentonville, ku shfaqen vepra nga Warhol, Rockwell dhe Rothko.
4. Jacqueline Mars
Mars dhe vëllai i saj, John Mars, zotërojnë secili rreth një të tretën e gjigantit shumëkombësh të ëmbëlsirave dhe ushqimeve për kafshë, Mars Inc., i cili prodhon karamele kryesore si M&M's, Hubba Bubba dhe Snickers. Kompania u themelua nga gjyshi i saj, Frank C. Mars, në vitin 1911. Ndryshe vetëm pasuria e Jacueline Mars peshon 38,3 miliardë dollarë.
5. Miriam Adelson dhe familja
Adelson është aksionarja kryesore e Las Vegas Sands, operatori më i madh i kazinove në botë. Ajo trashëgoi aksionet pasi burri i saj, personi me ndikim të madh për një kohë të gjatë i Partisë Republikane, Sheldon Adelson, vdiq në vitin 2021. Si një mjeke, ajo ka dhënë gati 1 miliard dollarë gjatë jetës së saj për të financuar kërkimet mjekësore dhe zbulimin e ilaçeve, sipas vlerësimeve të Forbes. Miriam Adelson radhitet si gruaja e pestë më e pasur në botë me pasuri që kap vlerën e 35 miliardë dollarësh.