Policia e Serbisë ka arrestuar drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, pasi lejoji shfaqjen e një filmi shqiptar të financuar nga Qeveria e Kosovës dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

 

Sipas mediave vendase, bëhet fjalë për Jetmir Ismailin, arrestimi i të cilit u bë në shtëpinë e tij në Nesalcë.

 

Këtë lajm e ka bërë të ditur shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ku thotë se Ismaili u arrestua për shkak se e lejoi një shfaqje teatrale të financuar nga institucionet e Kosovës.

 

Përmes një postimi në Tëitter, Vela shkruan se ky arrestim ka ndodhur nga represioni i egër prej regjimi të Vuçiç. Sipas tij, Ismaili duhet të lirohet menjëherë nga paraburgimi.

 

“Policia e Serbisë arrestoi kreun e Shtëpisë së Kulturës në komunën e Bujanocit, Jetmir Ismaili, një shqiptar vendas për lejimin e shfaqjes teatrale të financuar nga institucionet e Kosovës! Represioni i egër nga regjimi i Vuçiqit. Z. Ismaili do të lirohet menjëherë nga paraburgimi”, ka shkruar Vela.

 

Ndaj këtij veprimi të shtetit serb ka reaguar Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, sipas të cilit, aktualisht, i arrestuari Ismaili është duke u mbajtur në stacionin policor në Bujanoc.

 

“Sipas familjarëve, ai është marrë në stacionin policor për tu intervistuar rreth shfaqjes së një filmi të metrazhit të shkurtër, i cili është mbështetur nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar e që drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, i ka dhënë leje që të bëhet promovimi i tij nesër, po në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc”, shkruan Lutfiu.