Vihet në pranga një 25-vjeçar i shpallur në kërkim më shumë se 6 muaj më parë pasi ishte zbuluar duke transportuar emigrantë të paligjshëm, por braktisi automjetin sapo u pikas nga policia.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Midnight”, të zhvilluar më datë 29.11.2022, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, shtetasin e shpallur në kërkim Rushit Saliaj, 25 vjeç, banues në Sarandë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, ku shtetasi Rushit Saliaj është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke transportuar në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit, me një automjet tip “Volvo”, 9 emigrantë, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit. 25-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas, duke përfituar nga errësira, ka mundur të largohet pasi ka braktisur automjetin që drejtonte, me emigrantët në brendësi të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.