Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6 operacioni policor i koduar “Fast”.

Qarkullonte me automjet i armatosur, vihet në pranga 31-vjeçari.

Gjithashtu vihet në pranga për moskallëzim krimi, pasagjeri në mjet.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në Unazë të Re, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fast”.

Si rezultat i tij u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– E. I., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

– D. K., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në Unazë të Re, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. I., dhe pasagjer shtetasin D. K. Gjatë kontrollit të automjetit, gjetën një armë zjarri pistoletë me krëhër dhe municion luftarak të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.