Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë intervistës në Top Channel komentoi edhe Raportin e Progresit 2024 për Shqipërinë.
Berisha tha se nuk është e vërtetë që SPAK ka dhënë rezultate. “Sali Berisha mbi bazë dokumentesh zyrtare të pamohueshme që disponon e ka shpallur SPAK organizatë kriminale. Mund t’i kisha marrë këtu me vete sonte dhe t’u lexoja disa nga regjistrimet ku prokurori i kërkon vrasësit ose trafikantit kaq e aq për t’ia ndryshuar krimin, për t’ia manipuluar dosjen SPAK-u. Nuk ka njeri në botë që të më lëkundë mua në bindjet, se ai që tregton dhe bën pazar me vrasësin është i lig sa vrasësi. Ai që i di këto dhe thotë, po po nuk jam i tillë”, u shpreh ai.
Berisha tha gjatë intervistës se ministrat nuk kanë pasur ndikim në tendera gjatë qeverisjes së tij.
“SKAP-i i partisë që merr rroga 30% më shumë se kardinalët në Vatikan. Për dy vite kulmore 2022-2023 janë dënuar 19 persona përfshi këtu krime të rënda, krime serioze për korrupsion. Pse kaq pak? Sepse Dumani nuk i mbyllte dot dosjet. Ajo taskforcë me ato dosjet dënuan 630 zyrtarë të qeverisë së Sali Berishës”, tha ai.
Berisha foli edhe për akuzat ndaj tij ku tha se në gjithë këto vite pune, SPAK gjeti 100 mijë euro kursime dhe një apartament 40 metër katror.
Berisha u pyet se cila është strategjia e re e PD-së për zgjedhjet 2025, ku u përgjigj se do të jetë mosbindja civile.
“Mosbindje civile. Këto nuk janë zgjedhje, janë farsë elektorale. Unë kam përjetuar një diktaturë, jam përballur me të dhe ajo ra. Lufta ndaj një diktature nuk është e lehtë. Kjo që bëjmë ne është ajo që duhet bërë. Do vazhdojmë deri në përmbysjen e saj. Të ardhme kjo diktaturë nuk ka. Ju garantoj që janë vetëm hapat e parë”, tha kreu i PD, Berisha./ata