Vau i Dejës, Shkodër/Vijon operacioni policor antikanabis i koduar “Mnela”.

 

 

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, identifikohen 3 autorë të tjerë të dyshuar për kultivimin e fidanëve narkotikë, në fshatin Mnelë e Vogël.

Kapet dhe vihet në pranga njëri prej tyre.

 

Në vijim të këtij operacioni u gjetën dhe u asgjësuan edhe 73 fidanë të tjerë narkotikë cannabis sativa.

 

Gjatë ditës së djeshme, në të njëjtin fshat, u gjetën dhe u asgjësuan 583 fidanë narkotikë cannabis sativa, si dhe u shpall në kërkim njëri nga autorët e dyshuar të kultivimit të tyre.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë vijuar kontrollet antikanabis në territorin e fshatit Mnelë e Vogël, si dhe veprimet procedurale për përcaktimin e plotë të autorësisë së kultivimit të fidanëve narkotikë cannabis sativa, të asgjësuara në këtë fshat, si rezultat i fazës së parë të operacionit policor antidrogë të koduar “Mnela”.

 

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, u bë i mundur identifikimi i 3 nga autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, nga të cilët u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga njëri prej tyre, shtetasi M. V., 52 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi N. V., 60 vjeç, si dhe u identifikua një bashkautor tjetër, gjenealitetet e të cilit nuk bëhen me dije, për shkak të konfidencialitetit të hetimeve.

 

Nga hetimet dyshohet se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me shtetasin N. Gj. (të shpallur në kërkim ditën e djeshme), janë autorë të kultivimit të 656 fidanëve narkotikë cannabis sativa, në fshatin Mnelë e Vogël. 583 fidanë u gjetën ditën e djeshme, ndërsa 73 fidanë të tjerë u gjetën në të njëjtin fshat, si rezultat i vijimit të operacionit antidrogë “Mnela”. Fidanët narkotikë u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

 

Operacioni policor antidrogë i koduar “Mnela”, vijon për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për përcaktimin e plotë të autorësisë së kultivimit të fidanëve narkotikë, në fshatin Mnelë e Vogël.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.