Ish-kryemninistri Sali Berisha mbajti këtë të hënë një konferencë për mediat ku denoncoi dhe bëri publike disa pamje në të cilat pretendon manipulimin e zgjedhjeve në bashkinë e Elbasanit.

 

Berisha në fjalën e tij i ftoi të gjithë shqiptarët që të përballen me qeverinë përmes mosbindjes civile.

 

Ai shtoi se pas dokumentimit të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhëve, Rithemelimi do të ndërmarrë protesta për të rikthyer votën e lirë.

 

 

“Unë kam sjellë këtu para jush, dokumente në video të cilat faktojnë në mënyrë të pamohueshme, batërdinë elektorale që ndodhi në Elbasan, rolin prej kriminelësh elektoralë të hapur të operatorëve socialistë, kontrollin e plotë mbi votën e qytetarëve, votimin e tyre për qytetarët, format e votimit jashtë të gjitha standardet ligjore dhe kushtetuese, të  vendit dhe ndërkombëtarëve.

 

Atë ç’ka tregojnë kamerat në Elbasan, është shëmbëlltyra e shëmtuar e këtyre zgjedhjeve. Unë ftoj shqiptarët të ndjekin këto fakte dhe dokumente të një rëndësie jetike për të marrë vendimin ndofta më të rëndësishëm të jetës së tyre, të përballemi me mosbindje civile me këtë regjim që nuk na le të votojë, me këtë regjim që kontrollon votën tonë, manipulon votën tonë dhe është i aftë të shkelë çdo ligj, vendim në mënyrë që të grabitë mandatet e pamerituara.

 

Këto ishin disa nga videot përfaqësuese të mbi 70% të qendrave të votimit të kontrolluara, sepse jo të gjitha janë kontrolluar dhe sepse në në jo pak raste kamerat janë vendosur në atë mënyrë, saqë përjashtojnë kontrollet. Është bërë vendosje kamerash që të mos filmojnë përveç se në gjunjë e poshtë votuesit. Kjo ka qenë shumë e përhapur në Kamëz, por është përdorur edhe në zona të tjera.

 

Siç e shihni, Elbasani, rrethi i dytë më i madh pas Tiranës, është farsa më e shëmtuar elektorale pavarësisht nga votimi digjital që u vendos aty me qëllimin më të mirë, për të shënuar një hap cilësor, por Edi Ramën dhe kriminelët e tij elektoralë, nuk i ndalon asgjë, asnjë akt, asnjë shkelje ligji, asnjë dhunim kodi, etike, norme, për të rrëmbyer mandate që nuk i takojnë. Ndaj dhe njëherë këto zgjedhje nuk njohjen dhe nuk do të njihen kurrë. Shqiptarët në protëstë do të rivendosin të drejtën e tyre legjitime, kushtetuese për të votuar të lirë, njëlloj si kombet e tjerat Europës”, tha Berisha.