13 Qershor, Tiranë- 60 mjekë të rinj specialistë, në specialitete si, kirurgë, pediatër, anestezistë, neurologë, kardiologë e specialitete të tjera, me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë, i bashkohen ekipeve të spitaleve rajonale e bashkiake, duke plotësuar nevojat për shërbim të specializuar për qytetarët afër vendbanimit.

 

Në ceremoninë e emërimit të tyre të organizuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrja Ogerta Manastirliu, u shpreh se, investimet në spitalet rajonale, do t’i ndihmojnë mjekët e rinj në ushtrimin e profesionit të tyre, për të ofruar shërbime të specializuara sipas standardeve.

 

“60 mjekë specialistë do t’i atashohen për një periudhë 3-vjeçare spitaleve tona rajonale dhe bashkiake, për të ofruar shërbimin e tyre klinik, aty ku vendi ka nevojë. Pesë vite më parë dukej si një ëndërr e bukur, kur do të ishte përfundimi i ciklit të parë të specializimeve që u rihapën në vitin 2014 pas 4 vite mungesë të specialistëve, 4 vite të cilat vërtetë e gjymtuan sistemin, e lanë sistemin shumë të brishtë, sepse shumë specialitete në spitalet tona rajonale nuk ishin më të pranishme dhe qytetarët detyroheshin që shërbimet shëndetësore t’i merrnin vetëm në Tiranë. Eshtë një kapitull i ri në librin e madh të eksepriencës tuaj ky që do të hapni tani, e teksa do të shkoni dhe do të atashoheni në spitalet tona rajonale dhe bashkiake, do të vlerësoni nga afër edhe transformimet që kanë ndodhur dhe do të mundet të ofroni gjithashtu një mbështetje për kolegët tuaj aty dhe do të jeni të parët në fronit e madh të kujdesit ndaj qytetarëve, pikërisht aty ku vendi ka nevojë”,- nënvizoi Manastirliu.

 

Ministrja Manastirliu foli edhe për rritjen e pagave si një motivim financiar për të gjithë mjekët e rinj specialistë, teksa u shpreh se rritja e targetuar do vijojë edhe në 2024 për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët.

 

“Sot ju jeni shumë të motivuar financiarisht, tashmë është një realitet i prekshëm rritja e pagave prej 50.000 lekë të reja në muaj për të gjithë mjekët specialistë dhe ju jeni brezi i parë i mjekëve që kanë përfunduar specializimin dhe do të atashohen pranë struktura tona rajonale dhe bashkiake që do t’a përfitoni këtë rritje historike page. Nga ana tjetër, ju jeni brezi i dytë i mjekëve që kanë përfunduar specializimin, të cilët do të kenë edhe një shpërblim përsa i përket shpenzimeve dhe mbulimit të një pjese të jetesës, e cila është miratuar në 2022 dhe është një mbështetje financiare prej 15.000 lekë të reja në muaj për çdo mjek specialistë. Rritja e targetuar e pagave do të vijojë. Viti 2024 është viti ku mjekët e përgjithshëm do të mbështeten me një rritje page 20.000 lekë të reja në muaj dhe infermierët 15.000 lekë të reja në muaj”,- tha Manastirliu.

 

Duke e konsideruar autonominë spitalore një reformë për optimizimin e burimeve njerëzore dhe shërbimeve, Ministrja Manastirliu foli edhe për krijimin e 4 poleve të ekselencës për shërbime të specializuara për qytetarët.

 

“Hapi tjetër është fillimi i zbatimit të Autonomisë Spitalore e cila ka nisur në Spitalin Memorial të Fierit dhe do të shtrihet më spitalet univeristare dhe në spitalet tona rajonale, duke i hapur rrugë kështu një optimizimi të burimeve tona njerëzore, një riorganizimi të mirëfilltë të sistemit tonë public, duke patur më shumë shërbime të orientuara drejt nevojave, duke krijuar 4 pole rajonale dhe shërbime të specializuara që qytetarët të mundet të marrin shërbime afer vendbanimit në këto pole të ekselencës, nga Shkodra më pas në Durrës, në Vlorë dhe duke mundësuar që të hedhim hapin e radhës që është është pikërisht struktura Spitalore Rajonale e Tiranës, ku do të kemi për herë të parë një organizim të Spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe Spitalit të Kavajës, si një model të ri të organizimit të burimeve njerëzore, të kapaciteteve tona, të cilat do të mund të orientohen më mirë drejt një aktiviteti spitalor shumë më efektiv”,- deklaroi Manastirliu.

 

Sot morën emërimin 60 mjekë të rinj specialistë, kirurgë, pediatër, anestezistë, neurologë, kardiologë e specialitete të tjera, të cilët i bashkohen ekipeve të spitaleve rajonale dhe bashkiake, për të plotësuar nevojat për mjekë specialistë afër vendbanimit për qytetarët. Janë më shumë se 2 mijë kuota specializimi të hapura në këto 8 cikle specializimi radhazi për mjekët. Nga viti 2019, kur përfunduan specializimin grupi i parë i mjekëve, janë rreth 500 mjekë specialistë me kontratë me MSHMSH, të punësuar në çdo rajon të vendit, duke zbutur hendekun e krijuar ndër vite.