Nisi mesditën e sotme mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar thirrur nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj.

 

Presidenca njoftoi se KSK do të ketë në fokus gjendjen e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë.

 

Në fjalën hyrëse, Presidenti Begaj solli në vëmendje se një vit më parë vendi u përball me sulme shumë të rënda, komplekse dhe sofistikuara kibernetike.

 

“Sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona bënë të mundur që aktorët që ndërmorën këto sulme të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre. Vlerësoj maksimalisht punën e bërë nga institucionet”, u shpreh ai.

 

Begaj u ndal edhe tek bashkëpunimi me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO-n të cilët kanë mundësuar trajnimin e specialistëve, ekspertëve etj.

 

“Ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve moderne. Pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe financuar nga Republika Islamike e Iranit e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre”, vijoi Begaj.

 

“Sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar. Një vit pas sulmeve është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme”, theksoi Presidenti.

 

Begaj theksoi se “duhet të vendosim se ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike”.

 

“Krahas sigurisë kibernetike ne do diskutojmë edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare. Diskutimet gjate KSK edhe mbi kërcënimet që vijnë nga Irani në formën e propagandës dhe në forma hibride”, tha Begaj.