SPAK ka dhënë pretencën për Xhuliano Hoxhën dhe Euglen Halilin, të akuzuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt ngjarje të ndodhura në harkun e një jave në Korrik të vitit 2020 në Elbasan.

 

Sipas Klan News mësohet se Prokuroria e Posaçme kërkon për Hoxhën 30 vite burg, ndërsa për Halilin 12 vite burg pasi ky i fundit është bashkëpunëtor i drejtësisë.

 

 

 

Porositës i këtyre dy krimeve sipas SPAK është Erjon Alibej, çështja ndaj të cilit është ndarë nga dy të tjerët. Gazetarja Daci ka mësuar se në seancë ka qenë i pranishëm edhe babai i Runajt, i cili ka kërkuar drejtësi.

 

“Ne jeni fukarenj, jemi njerëz të këputur. Dua drejtësi për vrasjen e djalit. Gruaja ime është e sëmurë, shpesh e mbyll në dhomë se kam frikë mos i ndodh diçka. Djalin ma vranë me 27 thika. U them këtyre çunave mua vetëm një thikë më duhet që të shkoj tek im bir. Dua që këta dy çuna të marrin atë që meritojnë asnjë ditë më shumë. Çdo ditë rri në shkallë dhe pres djalin, por ai nuk vjen. Më kuptoni dhe mua, ju i përqafoni fëmijët tuaj. Unë pres që djali të më kërkojë Lekë për cigare”, mësohet të jetë shprehur babai.

 

Atentati ndaj Emiljano Ramazani ndodhi më 20 Korrik 2020. Vrasja është kryer poshtë shtëpisë së tij, teksa Ramazani po parkonte automjetin tip “Ford Fokus”. Autorët kanë qenë tre vetë në makinë dhe njëri prej tyre ka qëlluar 5 herë në drejtim të Ramazanit.

Ndërsa pak ditë më pas u gjet i vrarë edhe miku i tij i ngushtë Regis Runaj, 23 vjeç, i vrarë me thikë, dhe më pas trupi i tij është hedhur buzë rrugës afër varrezave të qytetit, një rrugë qorre ku nuk kalojnë njerëz.

 

Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani ishin miq të ngushtë me njëri-tjetrin ndërsa u vranë njëri-pas tjetrit brenda pak ditësh në Elbasan.

 

Zbardhja e dy vrasjeve u bë falë bashkëpunimit me drejtësinë të njërit prej të akuzuarve, Euglen Halilit i cili në dëshminë e tij është shprehur se Erion Alibej porositi dy vrasjet për shumën e 70 mijë Eurove. Emri i Alibejt del dhe në deklarimet e bëra nga Nuredin Dumani e Henrik Hoxhaj për dy vrasjet në fjalë.