Prokuroria e Tiranës ka zbardhur skemën e falsifikimit të dokumenteve të identitetit, të cilat përdoreshin për kalim të paligjshëm të kufirit në shtete të ndryshme.

 

 

Hetimi nisi pasi Europol Tirana, ka dërguar informacion se Policia Federale Gjermane, Inspektoriati i Aeroportit Frankfurt po kryen analiza operacionale në kuadër të operacionit WATERMARK’.

 

Operacioni mbulon një numër të madh zbulimesh të shtetasve shqiptarë që tentuan të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar nëpërmjet aeroporteve të ndryshme në Gjermani duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara.

 

 

Në datën 09.11.2022 në aeroportin e Hanoverit është arrestuar një çift shqiptar të cilët po tentonin të fluturonin për në Londër duke përdorur dokumenta greke të falsifikuara.

 

Pasaportat përmbanin një përzjerje të filigranteve S të dyfishtë dhe gjysmëhënë, gjithashtu përmbanin një çip të lexueshëm. Shtetasit e arrestuar janë O.N. dhe K.L., dhe gjatë hetimeve u konstatua se një i afërm i tyre kontaktoi me një falsifikues në Shqipëri nëpërmjet rrjetit ‘Tik-Tok’, profili “passaporaeurope”.

 

Prokurooria ka zbuluar mekanizmin ku shtetas të ndryshëm porosisnin dokumente të falsifikuara duke përfshirë pasaporta tek shtetasi M.H., dhe ky i dërgonte porositë në laboratorin në Kosovë ku dhe kryheshin falsifikimet.

 

Këto dokumente më pas dërgoheshin në destinacion nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre që kamuflonin këtë veprimtari të kundraligjshme duke u marrë me transportin e udhëtarëve nga Kosova në Shqipëri dhe më gjerë. Pas një veprimtarie të gjatë hetimore u arrit të dokumentoheshin shkeljet dhe të arrestoheshin shtetasit M.H., Sh. H dhe I.H.