Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë këtë të enjte për një deklaratë për media, ku ka reaguar mbi anullimin e mbledhjes së dy qeverive mes Kosovës dhe Shqipërisë, që ishte parashikuar të mbahej ditën e sotme në Gjakovë.

 

Berisha thotë se kryeminstri Rama ka anulluar me urdhër nga Beogradi mbledhjen në Gjakovë.

 

Ai e cilëson Ramën si një një argat i zellshëm i Aleksandër Vuçiç.

 

Sipas Berishës, Vuçiç së bashku me Ramën kërkojnë shpërbërjen dhe ndarjen e Kosovës.

 

“Edi Rama anuloi me urdhër nga Beogradi, pjesëmarrjen në mbledhjen me qeverinë e Kosovës në Gjakovë, në kuadër të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Si shkak për anulimin e këtij takimi të lajmëruar prej kohësh, Rama paraqiti refuzimin e Kosovës për të diskutuar veçmas në një format të prezantuar prej tij, për draftin e Ramës për Asociacionin, të marrë nga sirtarët e Beogradit.

 

Autoritetet e Kosovës refuzuan ndërhyrjen brutale të Edi Ramës në punet ë brendshme, për një probleme me të cilin po merren vendet më të fuqishme të globit. Lidhur me këto zhvillime, PD dënon me forcën më të madhe ndërhyrjen brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe aktin e tij hakmarrës dhe sherrndjellës mes dy vendeve fqinjë të një kombi, në një klimë të acaruar.

 

Së dyti, PD përgëzon refuzimin nga autoritetet e Kosovës për të diskutuar me Edi Ramën projektin e Vuçiçit, njësoj siç bëri me hartat e ndarjes së Kosovës. PD përgëzon refuzimin e diskutimit të projektit dhe rolin ndërmjetës të shpallur nga Edi Rama. Rama është dëshmuar haptas një argat i zellshëm i Aleksandër Vuçiç. Ai ka promovuar si të vetat të gjitha projektet e Vuçiçit, duke filluar me projektin e ndarjes së Kosovës, duke vazhduar me projektin e Ballkanit të Hapur dhe duke vazhduar së fundmi me projektin e Asociacionit, me të cilin Vuçiç dhe Rama kërkojnë shpërbërjen dhe ndarjen e Kosovës.

 

PD shton gjithashtu se Rama, që nga fillimi i agresionit barbar rus ndaj Ukrainës, në kundërshtim flagrant me interesin e kombit shqiptar dhe mbarë komunitetit euroatlantik, ka mbrojtur haptas qëndrimin e Vuçiçit kundër sanksioneve të NATO dhe BE ndaj Rusisë. Ai madje në dhjetëra raste ka kritikuar haptas kërkesën e NATO dhe BE ndaj Beogradit për respektimin e sanksioneve. Me angazhimin e ethshëm të fundit me projekt konkret dhe sherrndjellës për Asociacionin, me sulmet ndaj homologut në Kosovë, ka diçka të tmerrshme personale të Edi Rarmës”, tha Berisha.