Kuvendi miratoi sot në seancë plenare Amnistinë Penale. Në parim, projektligji mori 116 pro, 1 kundër, asnjë abstenim.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ndërsa nisi hedhjen në votim nen për nen, u ndal tek amendamenti i kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Amendamenti i deputetit Bardhi mori 113 vota pro, 1 kundër, asnjë abstenim.
Më pas u hodh në votim amendamenti i deputetit Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit duke marrë fjalën e konsideroi dakordësinë e arritur për amnistinë si pazar të diktuar.
“Djalli qëndron në detaje. Ju thoni se nuk ka asnjë të dënuar nga GJKKO që përfiton, por neni 5 thotë që përfitojnë 1.5 vite burrat dhe 2 vite gratë e dënuar nga GJKKO, nga SPAK. Ju jepet dora hajdutëve të administratës. Po, është e vërtetë që nuk ka ministra, kryeministër, por nga pozicioni i sekretarit të përgjithshëm, drejtorët, si ata të bashkisë dhe gjithë hierarkia vertikale poshtë, fitojnë. Ky është djalli që qëndron te dispozita që nuk është përfshirë”, tha ai.
Sipas tij, “kjo amnisti lë nga drejtorët e poshtë që të livadhisin e të shpëtojnë dhe të bëjnë korrupsion në emër të shefave”.
Për protestuesit, sipas Alibeajt, ata janë në gjykim për një dispozitë tjetër të Kodit Penal, i cili bën fjalë për kundërshtimin e punonjësve të rendit publik në bashkëpunim.
“Kjo është akuza që u kanë vendosur dhe kjo është përjashtuar. Këto dy ‘djaj’ të vegjël përcaktojnë amnistinë”, tha ai.
Amendamenti i Alibeajt mori 5 vota pro, 71 kundër dhe asnjë abstenim, duke mos u miratuar.
Në votimin përfundimtar në tërësi projektligji mori 110 vota, kundër votoi Agron Shehaj dhe pati 1 abstenim.
Me miratimin e Amnistisë Penale përfitojnë 1100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.
Projektligji u miratua pas disa muajsh vonesë për shkak të debateve mes palëve politike./ata