Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në vijim të vizitës zyrtare në Suedi u takua sot me ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billström.

 

“Prej më shumë se gjysëm shekulli, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Suedisë janë të shkëlqyera. Përveçse donatori i tretë më i madh dypalësh, Suedia mund të bëhet edhe partner kryesor tregtar dhe investimet suedeze në Shqipëri mund të shtohen. Reformat në fushën e drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë krijuar një klime të favorshme për investimet e huaja në vend”, u shpreh Nikolla në rrjetet sociale për takimin.

Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e palëkundur të Suedisë ndaj anëtarësimit të vendit tonë në BE.

“Kuvendi ishte ndër parlamentet e para të vendeve anëtare që ratifikoi Protokollet e Anëtarësimit për Suedinë e Norvegjinë dhe Shqipëria mbështet me vendosmëri anëtarësimin e tyre në NATO. Shpreha mirënjohjen dhe besimin se mbështetja suedeze

për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të vijojë”, u shpreh Nikolla.

Ajo njoftoi se me ministrin e Jashtëm suedez diskutoi edhe për vijimin e mbështetjes suedeze, si kontribut për një Evropë më të sigurt dhe më të mirë, si edhe bashkëpunimin e mbështetjen reciproke te kandidaturave të vendeve tona në organizatat ndërkombëtare.

“Kënaqësi të dëgjonim nga Ministri Billström vlerësimin për bashkëpunimin e fortë mes dy vendeve, vijimin e bashkëpunimit dypalësh për zhvillim, mirënjohjen për mbështetjen për pranimin e Suedisë në NATO, vlerësimin e lartë, në emër të BE, Presidencës Suedeze dhe Suedisë, për arritjet e reformave dhe rikonfirmimin mbështetjen e palëkundur të Suedisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, përfundoi Nikolla.