Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi deklaroi sot se SPAK nuk po heton dosjen e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për koncesionin e sterilizimeve prej 100 milionë USD.

 

Në një deklaratë për mediet, Vokshi tha se “kjo është provë e re se si, Skapi i partisë, është kthyer në mburojë të korrupsionit të qeveritarëve hajdutë”.

 

“Për të shkuar vetë te prova, i ftojmë qytetarët të shtrojnë disa pyetje. Pse SPAK nuk e heton ish-ministrin Ilir Beqaj, për të cilin është depozituar një padi që para tre vitesh për koncesionin e sterilizimeve prej 100 milionë USD? Pse SPAK nuk përgjigjet kur pyetet nga media nëse është regjistruar procedim penal kundër ndonjërit prej personave të përfshirë në dosje? Pse SPAK e zvarrit hetimin dhe konkludimin e tij, edhe pse ka marrë një kallëzim penal nga shoqëria civile, vetëm pak javë pasi struktura e Posaçme Antikorrupsion u krijua?Përgjigjja është e qartë dhe vetëm një: Skapi i partisë ka si mision nga partia që e krijoi mbrojtjen e ministrave dhe qeveritarëve të korruptuar”, – tha Vokshi.

 

Vokshi shtoi se kallëzimi në fjalë identifikon ish-ministrin Ilir Beqaj si nënshkrues i kontratës famëkeqe koncesionare të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, që i kushton buxhetit të shtetit 100 milionë USD.

 

“Kanë kaluar tre vjet dhe Ilir Beqaj, në atë që Partia Demokratike e konsideron korrupsion të hapur, shpërdorim të fondeve shtetërore dhe të detyrës, as nuk është thirrur për t’u pyetur”, – tha Vokshi.