Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sot për projektin e Portit të Durrësit. Berisha deklaroi se ne do e ndjekim në Gjykatë Kushtetuese, në Strasburg, teksa paralajmëroi qytetarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë të mos vendosin lekë aty pasi është një skemë piramidale.

 

 

“Gjykata Kushtetuese për herë të parë në historinë e ekzistencës së saj, mbyll dyert kur shqyrton dokumentet për një çështje.

 

Çështja është Porti i Durrësit, që përbën aktin më të madh korruptiv sot në Europë, çështje e cila është sanksionuar në rezolutat e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.

 

Ato janë miratuar dhe ne kemi vlerësuar shumë grupin e deputetëve që i ka paraqitur ato amendamente, të cilët konstatojnë se akti është në kundërshtim të hapur me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, marrëveshja e vetme bazë kontraktuale e Shqipërisë me BE, e detyrueshme për të zbatuar nen për nen”, tha Berisha.

 

 

 

Sipas tij, konstatohet nga parlamentarët europianë se janë shkelur të gjitha parimet e prokurimeve, e konkurrencës dhe lirë dhe janë shtuar dyshime të tjera.

 

 

 

“Ka pasur një përpjekje të turpshme të Edi Ramës dhe jo vetëm atij, që të përfshijnë edhe NATO-n në këtë aferë, duke i kërkuar NATO-s që ajo të angazhohet për portin e ri në Porto Romano, në një kohë që Porti i Durrësit prej dhjetëra vitesh është edhe port ushtarak.

NATO e ka bërë të ditur se nuk plotësohen kushtet për angazhimin e saj, e ka kuptuar se bëhet fjalë për një vepër mafioze të Edi Ramës.

Ne do e ndjekim në Gjykatë Kushtetuese, në Strasburg dhe paralajmëroj qytetarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë të mos vendosin lekë aty pasi është një skemë piramidale. Ortaku i Ramës është në hetim në Indi, prandaj të mos shpenzojnë lekë në projekte fantazmë”, tha Berisha.

 

Ai u ndal dhe te çështja e parkut të Butrintit, duke e cilësuar një aferë të tmerrshme dhe thekoi se i implikuar fund e krye është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan.

 

 

 

“Një nga çështjet shumë të rëndësishme që do sjell sot në vëmendjen tuaj është gjykimi në Kushtetuese i njërës prej aferave më të mëdha korruptive, që është afera e Butrintit.

Jeni të lutur të ndiqni çdo seancë, sepse kemi të bëjmë me një aferë të tmerrshme me të cilën shkatërrohet në mënyrë përfundimtare parku kombëtar i Butrintit.

Mafia shqiptare për oreksin e saj të tmerrshëm mbi 800 hektarë në Kepin e Stillës, i shkëput nga qyteza dhe me qytezën ndodh ajo çka ndodh.

E tëra sipas një projekti të paramenduar në këtë mënyrë dhe për fatin më të keq i implikuar këtu fund e krye është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan”, tha Berisha.

 

 

Ai deklaroi se gjatë periudhës së qeverisjes së PD, ka pasur ankesë vetëm për zgjerimin e rrugës pasi prekej parku.

 

“Ka ndodhur një moment që kemi zgjeruar rrugën e Butrintit se ishte e ngushtë. Dy burra të shquar, fisnikë, Lordi Rothchild dhe Spencer, që kanë meritë në themelimin e fondacionit të Butrintit, që kanë kontribut shumë të çmuar në konceptimin e parkut të Butrintit, insistuan të zemëruar, kërkuan shpjegime se përse u zgjerua rruga sepse u prek parku aq sa prek zgjerimi i rrugës.

Kishte edhe një diskotekë dhe ata kërkonin me çdo kusht largimin e saj. Ata ishin mbrojtësit më të vendosur të tërësisë së parkut të Butrintit.

Zonja Zhupa, Aleanca për Mbrojtjen e Parkut të Butrintit, kanë merita të veçanta, kanë zbërthyer çdo element. Qyteza është shkëputur nga pjesa tjetër e parkut. Ai park, në tërësinë e vet është pasuri botërore në UNESCO dhe është në të gjithë territorin, jo vetëm qyteza. Është pasuri përrallore e shqiptarëve.

Nëse ne mendojmë të mos shkatërrojmë çdo gjë vetë, nuk ka gjë më mahnitëse që u lëmë brezave se parkun e Butrintit dhe ata duan të shkatërrojnë.

Janë me dhjetëra mafiozë në pushtet që kanë parashikuar ku do ndërtojnë vilat. E konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme këtë mbrojtje. Ne do e vazhdojmë gjer në fund betejën.

Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira me presidentin e fonacionit, Granoff, por mbeta i zhgënjyer kur tha se çfarë bën qeveria me pjesën e shkëputur, nuk më interes. U gjet një mekanizëm për të thënë që nuk është puna ime, por ajo është pasuri e shqiptarëve”, deklaroi Berisha.