Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i ka kërkuar kryesisë të thërrasë Këshillin Kombëtar për t’i hapur rrugë zgjedhjes së kryetarit të PD-së.

 

Duke cituar statutin, Bardhi thotë se nuk i takon kryesisë që t’i japë të drejtë krerëve të degëve dhe një grupi pune që të certifikojnë listat e anëtarësisë apo të ngrenë Komisionin Zgjedhor. Detyra siç thekson Bardhi, i takon Sekretarit të degës, kryesisë së degës dhe vetë atij si Sekretar i Përgjithshëm.

 

Pavarësisht qëndrimit të Bardhit, 7 anëtarë të kryesisë së PD-së kërkojnë mbledhjen e kryesisë të enjten në orën 17.00. Sipas një njoftimi për mediat kjo mbledhje pritet të ketë si rend dite miratimin e grupeve të punës për listat e anëtarësisë, miratimin e  rregullores së brendshme “Mbi modalitetet e procesit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike” dhe plotësimin e vakancave dhe emërimin e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor.

 

Anëtarët e kryesisë që kanë kërkuar mbajtjen e mbledhjes janë: Taulant Zeneli, Endri Hasa, Gazmend Koduzi, Taulanda Jupi,  Kreshnik Çollaku,  Xhemal Gjunkshi,  Gentian Gaba.