Kandidati i Bashkë Fitojmë për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi  ka mbajtur një deklaratë për mediat jashtë godinës së KQZ-së ku ka akuzuar Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve për zvarritje të procesit të shqyrtimit të shkeljeve që ai pretendon se janë bërë në Kuçovë para dhe gjatë procesit zgjedhor.

 

Sipas tij, janë bërë mbi 700 votime në grup dhe KQZ nuk pranon të publikojë pamjet e kamerave të sigurisë. Mes të tjerash, Maliqi thotë se në shumë kamera të sigurisë ka vetëm 2 orë regjistrime përgjatë votimeve dhe procesit të numërimeve.

“Nuk është parë në historinë politike dhe nuk kam parë në historinë e Shqipërisë këtë që ndodhi në Kuçovë, kërcënime presione, joshje. Cuci dhe bandat operacionale u përqendruan në Kuçovë sepse e dinin se humbja ishte e sigurt. Në pamjet filmike në 45 qendra votimi, janë gjetur mbi 700 votime në grup. Në 8 qendra votimi janë bërë me sprajt kamerat dhe nuk duket asgjë. Në disa qendra votimi ka vetëm 2 orë filmime”-tha Maliqi.

 

Kujtojmë se kandidati i BF për Kuçovën ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit për bashkinë e Kuçovës duke pretenduar se ka pasur shkelje të rënda të bëra gjatë procesit zgjedhor dhe gjatë numërimit. Ai ka kërkuar rinumërimin e votave për bashkinë e Kuçovës, por KAS ka rrëzuar kërkesën e tij.