Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në Kuvend se “Serbisë ne nuk i kemi lënë dhe nuk do t’i lemë mangët pa ia thënë, edhe në sy edhe para syve të botës, asnjë gjë që duhet të dëgjojë prej nesh”.
Ashtu sikundër, vijoi ai edhe komunitetit euroatlantik si kemi lënë mangët dhe nuk do t’i lemë pa thënë asnjë gjë që duhet të dëgjojë për Serbinë nga ne, siç bëmë edhe pas ngjarjes kriminale të Banjskës.
Gjatë mocionit me debat në Kuvend mbi Kosovën, Rama u shpreh se “Shqipëria nuk e ndihmon Kosovën duke i shkuar pas edhe kur udhëheqja e saj ekspozon dobësinë e pashmangshme që sjell në skakierën gjeopolitike, një pozicionim i përcaktuar nga nevojat e politikës së brendshme”.
“Nuk funksionon. Kjo nuk ka ndodhur më parë dhe nuk ka për të ndodhur më pas. Nëse merr përsipër ta lëvizësh gurin në atë skakierë duke marrë parasysh skakierën brenda, dili për zot”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, kryeministri u shpreh se kjo furi e radhës, nuk ia ka lëkundur bindjen në krejt linjën e veprimit strategjik të politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon.
“Nuk më ka lëkundur as ndjenjën e përkatësisë e të përgjegjësisë për Kosovën, si një pjesë e ndarë dhe e pandarë e atdheut tonë, në këtë fazë kur rrezikut të humbjes së paqes pas fitores së luftës, i është shtuar më shumë se asnjëherë në këto vite, edhe për shkak të rritjes së veprimit të Rusisë kundër stabilitetit të rajonit, rreziku i përshkallëzimit me armë përmes nxitjes së konfliktit në veri”, shtoi ai.
“Nuk ma ndryshojnë këto furi irracionale as vijën strategjike të qasjes pragmatiste ndaj Serbisë, të cilën, duam s’duam, jo vetëm jemi të dënuar ta kemi fqinjën tonë matanë bjeshkëve, po jemi edhe të detyruar ta shohim me sytë e sigurisë sonë kombëtare, të ardhmërisë së përbashkët në të njëjtën lagje të Europës, e të bashkëpunimit rajonal mes të gjithë fqinjëve të kësaj lagjeje, ashtu siç na e kërkon dhe imponon edhe Procesi i Berlinit”, theksoi ai.
Rama kujtoi se Procesi i Berlinit gëzon mbështetjen entuziaste të qeverisë së Kosovës dhe samiti i tij i këtij viti, do të mbahet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, aspak rastësisht, këtu në Tiranë, fiks në vendin ku sipas patriotëve elektoralë i ishin vënë minat Procesit të Berlinit.
“Erdhën gjermanët vunë ato antiminat, nuk gjetën asgjë këtu dhe thanë do ta bëjmë këtu se është vendi më i mirë për të bërë Procesin e Berlinit në rajon”, shtoi ai.