Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka arritur në Forumin e Prespës i cili mbahet në Strugë, ndërsa është takuar me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti.

 

 

Ky i fundit në një postim në Facebook, njofton se me Kurtin ka diskutuar për situatën aktuale në raportet me Serbinë, ndërsa ka dënuar edhe aktin e rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.

 

 

“Biseduam rreth situatës aktuale në raportet me Serbinë, me ç’rast dënuam aktin e rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga ana e forcave speciale serbe duke e cilësuar këtë si akt provokimi që duhet korrigjuar urgjentisht nga ana e Serbisë. Askush nuk mund të cenojë integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës që është i garantuar nga mbarë faktori ndërkombëtar”.

 

“Vazhdimi i dialogut me ndërmjetësimin e partnerëve tanë strategjik, Europës dhe SHBA-ve, është i domosdoshëm në frymën e njohjes së ndërsjelltë. Vendi ynë dhe Kosova do të qëndrojnë bashkë në horizontet e zhvillimit dhe integrimit, krahë njëra tjetrës vëllazërisht në të gjitha sfidat”, ka shkruar Ahmeti.

 

Ndryshe, Forumi i Prespës ka filluar ditën e djeshme, ndërsa sot do të mbahet sesioni kryeministror me temën “Bashkëpunimi i sinqertë rajonal e mban rajonin të qëndrueshëm”