Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “Shqipëria është një treg i hapur, mikpritës dhe ku kompanitë hungareze janë në shtëpitë e tyre”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, Rama solli në vëmendje suksesin e investimeve hungareze në Shqipëri.
“Ne kemi dy realitete shumë domethënëse, realitetin e investimit në telekomunikacion nga kompania 4IG, e cila jo vetëm që ka ardhur në Shqipëri si një ofruese cilësore e një shërbimi që sot është kaq i lidhur me jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve 24 orë, por po bën në Shqipëri një ristrukturim aq shumë të pritur dhe të nevojshëm të gjithë tregut të telekomunikacionit me krijimin e një kompanie që është fryt i bashkimit të dy kompanive të tjera. Kjo do të përmirësojë cilësisht ofertën, do ta shëndoshë tregun dhe patjetër që do të sjellë edhe impakt të rëndësishëm në ekonomi”, tha Rama.
Realiteti tjetër, sipas kryeministrit, është ai në sektorin bankar i OPT Bank.
“Një bankë e mirënjohur hungareze që tani është shtrirë në disa vende dhe ka ardhur të ofrojë edhe në Shqipëri shërbimet e veta me një ambicie të qartë por edhe me një qasje shumë të mirëseardhur për ne. Nuk është një bankë që është këtu për të mbajtur depozita me paratë e shqiptarëve dhe pastaj për të çuar fitimet në Hungari, por është një bankë e orientuar në mbështetjen e kompanive dhe biznesit këtu dhe për këtë na vjen shumë mirë”, tha Rama.
Kryeministri informoi se në Kuvend është në proces dhe do të përcaktohen së shpejti në ligjin e tokës bujqësore, hapësirat për energjinë diellore.
“Kemi investime në sektorin bankar, komunikacione e energji. Mungon sipas nesh shtylla e katërt për investimet në turizëm. Shpresojmë që kompanitë hungareze të kuptojnë se këtu është një treg i hapur, mikpritës dhe ku kompanitë hungareze janë në shtëpitë e tyre”, shtoi Rama.
Ai vlerësoi se kompanitë hungareze nuk sjellin thjesht para, por nga ana tjetër sjellin edhe kulturë pune dhe një respekt për vendin.
Nga ana e tij, kryeministri Orban ftoi kompanitë shqiptare të investojnë në Shqipëri.
“Kjo është një rrugë me dy dalje. Unë i kërkova kryeministrit që të vinin edhe investitorë shqiptarë në Hungari. Do të donim të shikonim në Hungari veprimtari të bizneseve shqiptare të vogla, të mesme, të mëdha nuk ka rëndësi. Ne kemi një politikë që mbështet investimet e huaja dhe jemi të gatshëm të mbështesim investues shqiptarë që duan të investojnë në Hungari. Kam shpresë që brenda një kohe të shkurtër do të kemi investues shqiptarë që vijnë në Hungari”, shtoi ai.