Një avion rus u rrëzua sot në rajonin jugperëndimor të Stavropolit të vendit, sipas autoriteteve lokale.

"Një avion u rrëzua në një fushë. Sipas të dhënave më të fundit, nuk ka dëme apo viktima, pilotët janë hedhur", tha guvernatori i rajonit, Vladimir Vladimirov në Telegram.

Dy pilotët në bord tashmë janë gjetur, tha zyrtari.

"Ata janë gjallë, po i çojmë në spital. Të gjitha shërbimet kanë shkuar në vendin e ngjarjes", tha Vladimirov.

Guvernatori vuri në dukje se informacioni mbi incidentin është në proces zbardhjeje, duke kërkuar që të mos u besohet "burimeve të paverifikuara".

Më herët, raportime të shumta mediatike pohuan se një bombardues strategjik rus Tu-22M3 u rrëzua në rajonin e Stavropolit për shkak të një mosfunksionimi./aa