Gjashtë persona, pronarë dhe menaxherë të disa lokaleve, që prishën qetësinë publike duke vendosur muzikë të lartë, janë proceduar penalisht. Policia bën me dije se 5 raste janë evidentuar në Tiranë dhe 1 rast është evidentuar në Ksamil.

 

Gjatë kontrolleve në Tiranë, në disa lokale në ish-bllok, efektivët kanë konstatuar muzikë të lartë që përbënte shqetësim për banorët dhe kanë shoqëruar në komisariate 5 menaxherët dhe pronarë të këtyre lokaleve.

 

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku u proceduan në gjëndje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetesisë publike”,  shtetasit E. G., E. Xh., A. S., E. L, E. P., të gjithë banues në Tiranë.

 

Efektivët e Policisë gjithashtu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet që gjenerojnë muzikën.

 

Ndërsa gjatë kontrolleve në Qarkun Vlorë, në një lokal, në Ksamil, efektivët e Policisë, kanë konstatuar muzikë jashtë orarit të përcaktuar, duke prishur qetësinë publike. Pronari i këtij subjekti gjithashtu ka kundërshtuar mbylljen e muzikës. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku u procedua në gjëndje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetesisë publike” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”, pronari i këtij lokali, shtetasi S. M.